Kredia e re u rrit ndjeshëm, portofoli i plotë arriti 906.1 miliardë lekë në tetor
Kredia e re u zgjerua ndjeshëm në tetor, duke treguar rritje të qëndrueshme si për bizneset ashtu edhe për individët.
Kredia e re rritet mbi 30% në terma vjetorë
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re arriti 35.1 miliardë lekë në tetor, me rritje vjetore 30.6%. Për 10-mujorin, bankat kanë dhënë 342 miliardë lekë kredi, 11.1% më shumë se një vit më parë, duke reflektuar kërkesë më të lartë dhe ecuri pozitive të tregut të kreditimit.
Bizneset me rritje të moderuar por në përmirësim
Kredia e re për bizneset arriti 20 miliardë lekë, niveli më i lartë i vitit dhe 24.3% mbi të njëjtin muaj të 2024. Gjatë 10-mujorit, bizneset morën 226.7 miliardë lekë kredi, me rritje 3.6%, një ritëm më i ngadaltë krahasuar me 2024, por që është përshpejtuar muajt e fundit, duke treguar shenja rimëkëmbjeje të huamarrjes.
Individët vazhdojnë të tërheqin më shumë kredi
Kreditimi i individëve mbetet segmenti më dinamik. Bankat dhanë 10.2 miliardë lekë kredi për individët në tetor, me rritje 22.2% vjetore, ndërsa shifra për 10-mujorin arriti 105.6 miliardë lekë, 23.3% më shumë se një vit më parë. Kjo rritje vjen pavarësisht masave të reja kufizuese për kreditë e banesave, pasi kërkesa për blerje prone dhe kredi konsumatore mbetet e fortë.
Portofoli total i kredisë shpejton rritjen
Portofoli i plotë i kredisë arriti 906.1 miliardë lekë në tetor, me rritje mujore 4.3 miliardë lekë dhe 11.5% më shumë se tetori i vitit të kaluar. Rritja mbështetet kryesisht nga individët me 17.8% rritje vjetore, ndërsa kreditimi për bizneset u zgjerua me 8.7%.